Hyjnë në fuqi rregullat e reja të lëvizjes, nga dita e premte të gjithë në karantinë


Nga dita e sotme kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja të urdhrit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes.

Sipas urdhrit të ri, bizneset e lejuara për të kryer aktivitetin, do të qëndrojnë hapur nga ora 05:00 deri në orën 17:30.

Kurse për këmbësorët, do të lejohet sërish vetëm një pjesëtar nga familja për të dalë duke aplikuar për leje tek portali e-Albania. Në këtë pikë, qeveria ka bërë një ndryshim duke shtuar kohën e daljes, nga 60 minuta në 90 minuta.

Për të blerë në dyqane, qytetarët do të duhet të respektojnë distancën e sigurisë të paktën 1.5 metra. Ndërsa punonjësit e bizneseve duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza, kurse ambienti i tyre i punës të jetë i dezinfektuar.

Pavarësisht zgjatjes së orareve, qeveria ka vendosur që duke filluar nga fundjava e ardhshme, lëvizja të kufizohet për dy ditë rresht. Konkretisht, dyqanet do të qëndrojnë hapur dhe këmbësorët do të lejohen të dalin çdo ditë sipas orarit të lejuar deri ditën e premte datë 17 Prill.

Duke filluar nga ora 17:30 e 17 Prillit deri të hënën e 20 Prillit, e gjithë Shqipëria do të jetë në karantinë. Në fundjavë do të jetë çdo gjë e mbyllur dhe nuk do të lejohet qarkullimi i asnjë automjeti, përveç atyre kategorive të lejuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *