Vetëm për çështje administrative tamponi do të kryhet në laboratorë privatë. Sipas vendimit të komitetit teknik të ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë, testet molekulare në laboratorët jo publikë do të lejohen vëtëm për arsye të udhëtimeve jashtë vendit, studime, apo edhe për arsye të tjera shëndetësore.
“Ky lloj testimi do të kryhet vetëm për individët apo atë pjesë të popullatës, që janë të interesuar kryesisht për efekt dokumentacioni. Individët e tjerë, të cilët mund të jenë të sëmurë, kanë shenja klinike, janë kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, diagnoza do të përcaktohet vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik”.
Po si do të procedohet nga spitalet private?
“Të gjithë tamponet që do të rezultojnë pozitivë do t’i kalojnë Institutit të Shëndetit Publik, i cili do t’i ritestojë dhe do merret me gjurmshmërinë e të gjithë individëve apo familjarëve të tyre”.
Drejtues të Spitalit Amerikan thanë se mund të realizojnë mbi 1 mijë tamponë gjatë 24 orëve.
“Metoda që ne presim është një metodë, mbi 75 të proçedurave i ka automatike, që e shkurton këtë periudhë në afërsisht dy orë. Pra testimi zgjat përafërsisht 2 orë të rreth 96 testeve. Duke qenë se jemi laborator 24 orësh rutinë, jo vetëm për situatën, mund të kryejmë probabilisht dhe një mijë teste në ditë”.
Por sa do të kushtojë një tampon?
“Seriologjia do dalë me një çmim 4 mijë lekë të reja për të dyja testet. Nuk kam një çmim të qartë për t’iu thënë akoma për tamponët, pasi mendoj që nga kalimi i muajve, edhe distributorët kanë marrë çmime më të mira nga kompanitë sepse fillimi i pandemisë ka patur çmime shumë të larta edhe për shkak të panikut dhe krizës, që nuk po importoheshin shumë kite”.
Krahas testimeve molekulare, në Spitalin Amerikan kryhen edhe testet serologjike që tregon nëse e ka kaluar apo jo Covid-19.