News

Lotaria Amerikane/ Para se të nisni aplikimin, lexoni me kujdes këto këshilla

Duke nisur nga mesdita e sotme, të gjithë ata që duan të sigurojnë një vizë emigrimi nëpërmjet Lotarisë Amerikane për vitin 2021, duhet të regjistrohen online duke plotësuar formularin përkatës të aplikimit. “Regjistrimet për Programin e Lotarisë DV-2021 duhet të kryhen në mënyrë elektronike në faqen zyrtare , duke nisur nga ora 12:00 e ditës së sotme (2 tetor), e do të vijojnë deri në mesditën e datës 5 nëntor.

Për të pasur më shumë mundësi në përzgjedhje, këshillohet që të mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesё të faqes së internetit, duke ju penguar në plotësimin e formularit. Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për 2019-n, bëhet e ditur se aplikimet me letër, ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen.

Lejohet vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së përcaktuar. Ndërkohë që duhet të dini se në çdo rast, regjistrimi në programin e lotarisë do të jetë falas. “Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta. Individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen”, bëjnë me dije ekspertët e Ambasadës Amerikane në udhëzimet e shpallura rreth procedurës së aplikimit.

Dy kriteret për aplikime të vlefshme

Për të pasur aplikime të vlefshme, dy janë kriteret vendimtare që duhet të plotësoni që kanë të bëjnë me vendin ku keni lindur, si dhe arsimimin e përvojën e punës që duhet të keni. Kushti i parë ka të bëjë me faktin që duhet të keni lindur në një vend të pranueshëm për aplikim me lotarinë. Gjithashtu, çdo aplikant duhet të plotësojë ose kërkesën e arsimit, ose kërkesën e eksperiencës së punës të programit të lotarisë. Duhet të keni kryer arsim të shkollës së mesme apo ekuivalentin e tij, përkufizuar si përfundim me sukses i 12 viteve edukim të plotë zyrtar 9-vjeçar dhe të mesëm, ose duhet të keni kryer dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të kaluara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Për të përcaktuar nëse përvoja e punës kualifikohet për lotarinë, do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentit Amerikan të Punës. Në rast se nuk plotësoni këto dy kushte të përcaktuara, rekomandohet që të mos aplikoni në programin e lotarisë. “Këshillohet që të plotësoni vetë aplikimin. plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilluesi për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më tё saktë, të merrni fletën e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë fletёn tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit”, sqarojnë ekspertët.

Kodi që duhet të ruani!

Pasi të keni dorëzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, juve do t’ju shfaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin tuaj unik të konfirmimit. Printojeni këtë faqe dhe ruajeni. Bazuar në shpërndarjen e vizave tё disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Duke filluar nga 5 maji 2020, ju do të mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj në faqen zyrtare ëëë.dvlottery.state.gov, duke klikuar mbi “Kontrollin e Statusit të tё Regjistruarit” dhe duke futur numrin unik të konfirmimit dhe informacionin personal. Kontrolli i Statusit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë 2021, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni më tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi.

Risia për aplikimet e 2021

Aplikuesit kryesor i duhet një pasaportë e paskaduar për udhëtim jashtë shtetit, numri i pasaportës, shteti i lëshimit të pasaportës dhe data e skadimit. Kjo kërkesë zbatohet vetëm për aplikuesin kryesor, dhe jo për vartësit e tij. Ju duhet te vendosni një pasaportë të vlefshme për udhëtime ndërkombëtare përveç nëse jeni pa shtetësi, ose i përkisni një kombësie të shteteve të kontrolluara nga komunizmi dhe për këtë nuk mund të merrni një pasaportë të atij shteti, ose jeni përfitues i përjashtimit individual të miratuar nga Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Sekretari i Shtetit.

Kujdes me detajet e fotografisë

Në formular duhet të ngarkoni fotografi personale pa syze të nxjerrë 6 muajt e fundit, për ju si aplikant kryesor, të bashkëshortit/es, si dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim. Fotografitë në grup nuk do të pranohen, duhet të paraqisni nga një fotografi për çdo individ. Regjistrimi juaj mund të skualifikohet ose viza juaj të refuzohet nëse fotografitë tuaja nuk janë të kohëve të fundit, janë të manipuluara në një formë apo në tjetrën, ose nuk respektojnë specifikimet e mëposhtme. Nëse përfshini fotografi që e kishit përdorur në regjistrimin e vitit të kaluar, ju do të skualifikoheni automatikisht, ndaj përdorni fotografi të nxjerrë kohët e fundit. Në vijim gjeni pyetjet më të shpeshta rreth rregullave që duhet të dini gjatë plotësimit te formularit elektronik.

Mё duhet tё aplikoj vetëm një herë gjatё periudhës sё regjistrimit?

Po, ligji lejon vetëm një aplikim për secilin person gjatë çdo periudhe të regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të identifikuar aplikime të shumëfishta. Individët që kanë dorëzuar më shumë se një aplikim do të skualifikohen.

Nëse pasaporta ime skadon ose e humbas para se të aplikoj për vizë?

Nëse numri i pasaportës tuaj ndryshon për ndonjë arsye, ju duhet të lajmëroni KCC-në dhe t’i dërgoni prova se pse ka ndryshuar numri i pasaportës, para se KCC t‘ju caktojë intervistën tuaj për lotarinë. Nëse keni aplikuar me një numër pasaporte false, të pasaktë ose të pavlefshme në aplikimin tuaj, çështja juaj do të skualifikohet ose aplikimi juaj nuk pranohet. Ne ju sugjerojmë të bëni një fotokopje të pasaportës që do të përdorni për aplikimin dhe ta ruani atë në një vend të sigurt me numrin tuaj të konfirmimit të aplikimit.  Megjithatë duhet të dini se vetëm një fotokopje e pasaportës nuk është provë që keni dhënë një numër të vlefshëm të pasaportës në aplikimin tuaj, por mund t’ju ndihmojë të shpjegoni situatën. Vendimi përfundimtar varet nga Oficeri Konsullor gjatë intervistës suaj.

A mundet secili nga bashkëshortët të dorëzojë aplikim veçmas?

Po, secili nga bashkëshortët mund të dorëzojë një aplikim veçmas, nëse secili përmbush kërkesat ligjore. Në qoftë se njëri prej tyre përzgjidhet, tjetri ka të drejtë të aplikojë për statusin e personit ndjekës (derivativ). Mos harroni: secili nga ju duhet të përfshijë bashkëshorti/en dhe çdo fëmijë të kualifikueshëm për lotarinë në aplikimin tuaj.

A mundem të ruaj formularin në internet dhe ta përfundoj atë më vonë?

Jo. Formulari i regjistrimit të lotarisë elektronike është projektuar që të plotësohet dhe dorëzohet njëherësh. Ju do të keni gjashtëdhjetë  minuta kohë që fillon me shkarkimin dhe plotësimin e formularit, deri në përfundimin dhe regjistrimin në adresën e internetit të përcaktuar. Nëse më shumë se gjashtëdhjetë minuta kalojnë dhe ju nuk e keni përfunduar dhe regjistruar formularin tuaj në mënyrë elektronike, informacioni i dhënë deri nё atё moment do tё fshihet. Sistemi fshin të gjitha regjistrimet e pjesshme që më vonë të mos përcaktohet aksidentalisht si dublikatë apo formular. Për të mos gabuar në plotësimin e formularit këshillohet që të lexoni deri në fund udhëzimet përpara se të filloni plotësimin e formularit, që të dini saktësisht çfarë informacioni do t’ju nevojitet.

Nëse sistemi nuk ma pranoi formularin fillestar, a mundem të ridërgoj formularin tim?

Po, pёr sa kohё qё aplikimi juaj dorëzohet përpara orës 12:00 të datës 5 nëntor 2019. Nëse fotografia/ (fotografitë) nuk i plotësojnë të dhënat teknike, regjistrimi juaj nuk do të pranohet nga interneti i, kështu që ju nuk do të merrni një njoftim konfirmues. Megjithatë, duke u nisur nga natyra e paparashikueshme e internetit, ju mund të mos e merrni menjëherë njoftimin për refuzim. Nëse ju mund të korrigjoni fotografinë dhe të ridërgoni pjesën e parë apo të dytë të formularit brenda 60 minutave, ju mund të jeni në gjendje që të paraqisni regjistrimin tuaj me sukses. Përndryshe, do t’ju nevojitet të rifilloni procesin e regjistrimit. Ju duhet të mundoheni të paraqisni një formular aq herë sa të jetë e nevojshme deri në pranimin e plotë të formularit dhe deri në njoftimin për marrjen e konfirmimit. Njëherë që merrni njoftimin për konfirmim, regjistrimi juaj ka përfunduar dhe ju nuk duhet të plotësoni një regjistrim shtesë.

Sa shpejt pas regjistrimit të formularit do të marr njoftimin për konfirmimin elektronik?

Ju duhet të merrni njoftimin konfirmues menjëherë, sëbashku me numrin e konfirmimit i cili duhet ruajtur dhe mbajtur. Megjithatë, duke u nisur nga natyra e paparashikueshme e internetit, mund të njoftoheni me vonesë. Ju mund të shtypni butonin “Submit” sa herë të jetë e nevojshme deri në pranimin e plotë të formularit dhe deri në njoftimin për marrjen e konfirmimit. Megjithatë, sapo të merrni njoftimin konfirmues, mos e ridërgoni informacionin tuaj.

Po nëse humbas numrin tim të konfirmimit?

Ju duhet të keni numrin tuaj të konfirmimit që të hyni tek Kontrolli i Statusit tё tё Regjistruarve. Një buton është tani në dispozicion në Kontrollit të Statusit tё tё Regjistruarve (ESC) në faqen e internetit që do t’ju lejojë të rifitoni numrin tuaj të konfirmimit përmes adresës së regjistruar të postës elektronike duke plotësuar informacione të caktuara personale për të konfirmuar identitetin tuaj. Ambasadat dhe Konsullatat e SHBA-sё dhe Qendra Konsullore në Kentucky nuk janë në gjendje që të kontrollojnë statusin tuaj të regjistrimit për ju apo të sigurojnë numrin tuaj të konfirmimit tek ju direkt (përveç butonit gjetës nëpërmjet ESC). Departamenti i Shtetit nuk mundet të sigurojë një listë të atyre që përzgjidhen për të vazhduar procesin e vizave.

Sa kushton regjistrimi në programin e E-DV-së?

Nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar elektronikisht për lotarinë. Sidoqoftë, nëse ju jeni përzgjedhur, duhet të paguani të gjitha tarifat për vizë të kërkuara në kohën e aplikimit për vizë si dhe intervistë drejtpërdrejt tek arkëtari konsullor në Ambasadën e Shteteve te Bashkuara apo Konsullatë. Nëse ju jeni një i përzgjedhur që ndodheni tashmë në SHBA, dhe aplikoni pranë USCIS për të rregulluar statusin, ju do t’i paguani të gjitha tarifat e kërkuara direkt pranë USCIS. Nëse jeni përzgjedhur, ju do t’i merrni detajet mbi tarifat e kërkuara të aplikimit për vizë emigrimi të DV-së bashkë me udhëzimet e dhëna nëpërmjet faqes së internetit të E-DV-së në www.dvlottery.state.gov.

Ja si duhet të jetë fotografia juaj:

  • Me ngjyra.
  • Në fokus. Personi që fotografohet duhet të jetë me fytyrë drejt aparatit.
  • Lartësia e kokës ose përmasa e fytyrës (matur nga maja e kokës duke përfshirë edhe flokët deri tek pjesa e poshtme e mjekrës) duhet të jetë ndërmjet 22 mm dhe 35 mm ose nga 50% deri 69% të lartësisë totale të fotografisë.
  • Të jetë nxjerrë brenda 6 muajve të fundit dhe të tregojë pamjen tuaj aktuale.
  • Të jetë nxjerrë me një sfond të bardhë e të ndriçuar.
  • Të jetë nxjerrë me fytyrën që shikon drejtpërdrejt kamerën. Koka e personit nuk duhet të jetë pozicionuar lart, poshtë ose anash.
  • Me një shprehje neutrale të fytyrës dhe me sytë të hapur.
  • Me rroba që vishni si zakonisht çdo ditë
  • Nuk duhen veshur uniforma, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë.
  • Jo shami apo kapele që pengon flokët, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë. Fytyra juaj duhet të jetë e dukshme dhe shamia e kokës nuk duhet të krijojë ndonjë hije në fytyrën tuaj.
  • Kufjet, pajisjet wireless, apo të ngjashme janë të papranueshme në fotografinë tuaj.
  • Hiqini syzet kur të dilni në fotografi.
  • Nëse ju mbani një pajisje dëgjimi çdo ditë, ju mund ta mbani atë edhe kur të dilni në fotografi.
  • Fotografi të kopjuara nga leja e drejtimit apo nga dokumente të tjera zyrtare nuk janë të pranueshme.
  • Gjithashtu, fotografi të çastit, fotografi nga revista, fotografi me cilësi të ulët apo të bëra me celular me cilësi të ulët, nuk janë të pranueshme.

Fotografia digjitale duhet të jetë:

  • Në formatin JPEG (.jpg).
  • Baras ose më pak se 240 KB si madhësi.
  • Dimensioni i fotos duhet të jetë katror (gjerësia duhet të jetë e barabartë me gjatësinë).
  • Dëshironi të skanoni një fotografi të printuar që e keni nxjerrë 6 muajt e fundit? Përveç kërkesave të fotografisë digjitale, fotografia juaj ekzistuese duhet të jetë: 51 x 51 mm (2 x 2 inç), e skanuar në një rezolucion prej 12 pikselë për milimetër (300 pikselë për inç)

Përdorni testuesin e fotografive të Departamentit të Shtetit, i cili është falas për të:

  • Zgjedhur një fotografi të ruajtur në kompjuterin tuaj.
  • Riformatuar dhe rrotulluar atë nëse është e nevojshme.
  • Ta presësh në një format katror saktësisht 600 x 600 pikselë.

gazetadita/

What is your reaction?

Excited
0
Happy
0
In Love
0
Not Sure
0
Silly
0

You may also like

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in:News