Sherri për plazhin, vëllai qëllon me armë vëllanë. Turisti norvegjez: Jemi të frikësuar, nuk rri më këtu.


Të shtëna me armë zjarri u raportuan në Radhimë të Vlorës mesditën e kësaj të hëne. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30. Policia njoftoi se një person qëlloi me armë në afërsi të plazhit.

Klan News ka mësuar se ka ndodhur një konflikt mes dy vëllezërve Beniamin dhe Eduard Kondi, të cilët janë pronarë të një plazhi në atë zonë.

Sipas policisë, konflikti ka degraduar kur Beniamin Kondi ka shkuar në plazhin i cili administrohej nga vëllai i vogël, Eduardi.

Ky i fundit ka nxjerrë armën nga parkimi dhe ka shtënë në drejtim të vëllait 5-6 herë.

Për fat, Beniamin Kondi i ka shpëtuar plumbave. Me fat kanë qenë edhe pushuesit që ndodheshin afër tyre në momentin e ngjarjes.

Autoritetet njoftuan se ngritën pika kontrolli dhe vijuan krehjen e zonës për të kapur autorin e kësaj ngjarje, Eduard Kondi. Ai u arrestua në një banesë në Lungomare. Këto janë pamjet ku ai shoqërohet në komisariat.

Si rezultat i reagimit në kohë nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit E. K., 34 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në plazhin e Radhimës, në drejtim të vëllait të tij, shtetasit B. K., 45 vjeç, ku nuk ka patur persona të lënduar. Shtetasi E. K, u shoqërua në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme“, njoftoi policia.

Po ashtu janë shoqëruar gjithashtu nga Policia, deri në këto momente, 9 persona, për t’u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë mësohet Beniamin Kondi kishte ardhur mbrëmë nga Anglia.

“Të gjithë vrapuam, kisha frikë”, turisti norvegjez rrëfen përjetimet pas të shtënave me armë zjarri në Radhimë

Të shtënat me armë zjarri i ka dëgjuar dhe një turist norvegjez që kishte zgjedhur Radhimën për të pushuar së bashku me familjen e tij. I pyetur nga Klan News, ai ka thënë se në momentin që janë dëgjuar krismat të gjithë kanë vrapuar teksa ka treguar dhe ndjesitë e tij.

Turisti norvegjez: Ne dëgjuam 2-3 të shtëna dhe të gjithë vrapuam. Nuk e di nëse dikush është lënduar sepse nuk pamë asgjë. Kishte frikë, jam me familjen këtu.

Po ashtu, pushuesit shqiptarë të gjendur në këtë plazh në momentin e ngjarjes kanë treguar më shumë detaje për Klan News.

“Shumë të shtëna janë dëgjuar, mbi 5-6 herë. Njerëzit u larguan dhe ikën me vrap. Unë kisha vajzën dhe djalin dhe ikëm me vrap, kurse të tjerët u fshehën këtu pas lokalit. Unë deri këtu nuk dëgjova gjë se a pati persona të lënduar. Në atë moment kishte shumë njerëz në plazh.”

“Jemi të frikësuar, nuk rri më këtu. I them burrit, hajde se dua të iki në shtëpi”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *