Rritja e rasteve me Covid, OBSH: Te rikthehn masat e kufizuese


Dega europiane e OBSH ka deklaruar se shtimi i shumte i rasteve të reja te infeksionit nga koronavirusi kohët e fundit i detyrohet lehtësimit të masave që synojnë frenimin e përhapjes së pandemisë, mosrespektimit të distancimit fizik dhe detyrimit për mbajtjen e maskave.

Organizata gjithashtu u bëri thirrje vendeve europiane që të qëndrojnë të përgjegjshëm dhe “me kujdes” të heqin kufizimet ose madje të rivendosin ato nëse është e nevojshme.

Ndërkohë disa vende të BE-së, në reflektim të këtij shqetësimi, kanë rritur kontrollet e udhëtarëve në kufi dhe territoret kombëtare.

Gjermania ofron testime falas për udhëtarët që kthehen në vend, Franca, ku qarkullimi viral po rritet ndjeshëm, ka bërë të detyrueshëm testimin për udhëtarët që vijnë nga 16 vende, përfshirë Serbinë dhe Malin e Zi.

Kryeministri francez Jean Castex ka rekomanduar bashkëkombasit që të shmangin udhëtimet në Katalonjë në Spanjën verilindore, ku të premten, përball rritjes së numrit të infeksioneve, qeveria urdhëroi mbylljen e klubeve dhe bareve të natës.

Italia gjithashtu dje bëri të detyrueshme karantinën për të gjithë ata që në 14 ditët e fundit kanë qëndruar apo udhëtuar në Rumani dhe Bullgari.

Norvegjia ka vendosur përsëri kufizime për udhëtimet në Spanjë kurse në Angli, dje hyri në fuqi detyrimi për të mbajtur maskën në dyqane dhe supermarkete.

Masat shëndetësore kundër epidemisë së koronavirusit po rifitojnë forcë edhe në SHBA ku gjigandi i ushqimit të shpejtë, ‘McDonalds’ do t’i detyrojë të gjithë klientët e tij të mbajnë maska duke filluar nga 1 gushti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *