Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka humbur jetën një 66 vjeçar nga Fieri.
Sipas Ministrisë së shëndetësisë 66 vjeçari trajtohej prej 2 ditësh në spitalin Infektiv për koronavirusin.
Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se 66 vjeçari ka patur edhe sëmundje të tjera shoqëruese si sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale. Infarkti ka qenë fatal për 66-vjeçarin mëngjesin e sotëm.
Ndërkohë Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se kanë rezultuar të infektuar 174 pacientë.
Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë:
“COVID-19/ Ndërron jetë në spitalin infektiv pacienti 66-vjeçar, viktima e 8 në Shqipëri
Një pacient 66-vjeçar nga Fieri, i konfirmuar me COVID-19 pësoi
vdekje të papritur (infarkt) mëngjesin e sotëm në spitalin infektiv.
66-vjeçari trajtohej prej dy ditësh në spitalin infektiv në QSUT.
Pavarësisht ndihmës së menjëherëshme të stafit mjekësor, 66-vjeçari që
vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji
gastro-intestinale, nuk arriti të mbijetojë.
66-vjeçari është viktima e tetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të
ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë
rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social si dhe të
telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të
sëmundjes”.