Kanceri i vezoreve referohet si një sëmundje “e heshtur”, sepse simptomat e hershme që manifeston janë të lehta. Ato gjithashtu mund të shkaktohen nga një sërë problemesh të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë me kancerin.
Por me avancimin e sëmundjes, shenjat nisin të bëhen më prezente duke diktuar nevojën e një kujdesi më të specializuar. Lodhja, humbja e peshës dhe dhimbja e pashpjegueshme e shpinës, mund të jenë disa nga treguesit e parë, të cilët nuk duhen neglizhuar. Mjekja onkologe Esmeralda Sera, thotë se mosdiagnostikimi në kohë është i rrezikshëm dhe me pasoja, pasi është një kancer me numër të shtuar mortaliteti.
“Kanceri i vezoreve prek vezoret dhe vjen si pasojë e shtimit të pakontrolluar të qelizave në këtë organ. Ky kancer zë vendin e 5 te llojet e kancereve që prekin femrat. Kanceri i vezoreve mund të mos japë shenja klinike dhe të manifestohet kur sëmundja tashmë ka avancuar. Disa nga simptomat që nuk duhen neglizhuar nëse vazhdojnë për një kohë të gjatë janë: ndjenja e lodhjes, rënia në peshë, ndjenja e mbingopjes dhe e fryrjes së barkut, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, nauze dhe të vjella etj. Mosdiagnostikimi në kohë do të ishte shumë i rrezikshëm dhe me pasoja sepse është një kancer me numër të shtuar mortaliteti. Përsa i përket parandalimit, femrat duhet t’u nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme kontrolleve gjinekologjike rutinë, si eko vaginale, test PAP, eko abdominale etj”, bën me dije doktoresha. Sipas saj, moshat që rrezikohen më shumë janë mbi 65 vjeç, por është parë përhapja dhe në moshat e reja, si dhe shtimi i numrit të rasteve të prekura.
FAKTORËT E RISKUT
Shkaku i saktë i kancerit të vezoreve është i panjohur. Por mjekët rendisin disa prej faktorëve që mund të bëhen shkak për shfaqjen e tij. “Të tillë janë trashëgimia, mosha mbi 65 vjeç, përdorimi i kontraceptivëve etj.”, vë në dukje Sera. Por, përcaktimi i tyre si faktor risku nuk do të thotë se të kesh një prej tyre jeni domosdoshmërish i prekur nga kanceri i vezoreve dhe e kundërta, mund të jeni të sëmurë edhe duke i përjashtuar shkaqet e mësipërme.
TRAJTIMI
Mjekja onkologe ndalet edhe te metodat e trajtimit të sëmundjes, e kushtëzuar kjo edhe nga stadi në të cilën ndodhet sëmundja. “Kur një femër ka simptomat e sipërpërmendura duhet të drejtohet te mjeku si fillim, të kryejë një eko abdominale. Kur ekziston dyshimi i pranisë së sëmundjes, atëherë mjeku vazhdon me ekzaminime të tjera, si gjak komplet, treguesi tumoral CA 125, skaner ose rezonancë abdominale. Pas kryerjes së këtyre ekzaminimeve dhe vendosjes së diagnozës, vendoset edhe për mënyrën e trajtimit të sëmundjes që mund të jetë me ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi ose trajtim i kombinuar i tyre. Në qoftë se sëmundja diagnostikohet në kohë dhe ka një trajtim të duhur, atëherë flasim dhe për një prognozë dhe ecuri të mirë të sëmundjes. Do të doja që njerëzit të informoheshin më shumë për këtë sëmundje, e cila, jo pa të drejtë, është quajtur “kamxhiku i shekullit”, shprehet më tej doktoresha.