“Ky është një moment përcaktues për Bashkimin Evropian. Unë kam besim se sot do t’i japim statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe do të shprehim një perspektivë të qartë dhe të fortë evropiane për Gjeorgjinë.”
Kështu deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke arritur në samitin e krerëve të shteteve të BE-së për integrimin europian.
Udhëheqësit e BE-së pritet gjerësisht të mbështesin Ukrainën si një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Takimi i nivelit të lartë vjen një javë pas një udhëtimi të përbashkët në Kiev të kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit italian, Mario Draghi. Tre liderët, duke folur në emër të tri ekonomive më të mëdha të BE-së, thanë “po” për dhënien e statusit të kandidatit.
Në samitin dyditor në Bruksel në krye të agjendës janë vendosur lufta, kriza ushqimore, rritja e inflacionit dhe arkitektura e sigurisë së Evropës.
Në këtë samit merr pjesë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, procesi për të cilat është bllokuar nga Bullgaria.