Një kroat akuzohet për rrëmbim fëmijësh, dëshmi të reja


Dëshmia e fundit ngre dyshime të forta se vajza e zhdukur Bleona Mata mund të ketë rënë në duart e një grupi kriminal, të cilët janë akuzuar për rrëmbime fëmijësh.

Rrëmbimi i një fëmije 7-vjeçar nga fshati Goran i Mesëm i Maqedonisë së Veriut që u trajtua ditën e sotme në emisionin “Pa Gjurmë” nxori në dritë një fakt i cili mund të zbardhë edhe zhdukjen e Bleona Matës. Ajo rezulton e humbur në moshën 6 vjeçare.

Bleona Mata humbi më 10 maj të vitit 2010.

Policia e vendit fqinj ka akuzuar një shtetas kroat që dyshohet edhe për rrëmbimin e dy fëmijëve të tjerë.

“Djali la çantën e shkollës dhe doli të luante me shokët e tij. Pas disa orësh, ne u alarmuam dhe shkuam në polici. Fqinjët treguan se një makinë e bardhë e parkuar afër banesës sonë më rrëmbeu djalin. Nuk morëm vesh gjë tjetër ato ditë veç dy muaj më pas dëgjuam në lajme se djali jonë ishte parë afër Kumanovës dhe ishte i lidhur. Ishte një person i panjohur për banorët e zonës që mbante djalin dhe i kishte lidhur duart, këmbët edhe gojën. Sapo e pame lajmin në televizor shkuam me urgjencë në polici, por ky informacion nuk u verifikua asnjëherë”- rrëfeu nëna e vogëlushit 7-vjeçar.

Më pas ajo jep edhe një tjetër informacion, i cili e lidh rrëmbimin e djalit të saj me zhdukjen e 6 vjeçares nga Zapoti i Kukësit.

“Një  shtetas kroat u arrestua në vendlindjen e tij dhe ishte akuzuar për rrëmbimin e katër fëmijëve shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, ku dy prej këtyre fëmijëve dyshohej të ishin të vegjlit Mitat Ibrahimi e Bleona Mata. Këtë na i konfirmoi edhe policia maqedonase por emrat e 4 fëmijëve të rrëmbyer ne nuk i mësuam kurrë zyrtarisht. Vetëm na thanë që është një grup i organizuar i cili ka rrëmbyer shumë fëmijë shqiptarë”- dëshmoi Jalldëz Ibrahimi.

Një tjetër e dhënë që mund të lidh zhdukjet e dy fëmijëve është koha në të cilën ata kanë humbur. I pari, vogëlushi Ibrahim u zhduk në 19 mars të vitit 2010, ndërsa Bleona afro dy muaj më pas më 10 maj po të atij viti. Është pikërisht koha kur ky grup kriminal akuzohet edhe për rrëmbimin e dy fëmijëve të tjerë.

Megjithatë, edhe pse e ëma e Bleona Matës vazhdon ta kërkojë dhe ajo është deklaruar e zhdukur edhe në Interpol, policia nuk ka dhënë asnjë informacion për ndonjë gjurmë të saj, 9 vite pas zhdukjes


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *